Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) deklaroi se zhvendosjet në Gaza "nuk përfundojnë kurrë" për shkak të praktikave për migrim të detyruar të ushtrisë izraelite ndaj popullsisë që jeton në rajon.

"Zhvendosja në Gaza nuk përfundon kurrë. Përafërsisht 84 për qind e Rripit të Gazës, afërsisht 305 kilometra katrorë, është nën urdhrat e evakuimit të ushtrisë izraelite", thuhet në postimin e UNRWA-së në X.

Për shkak të migrimit të detyruar të imponuar nga Izraeli, njerëzit në Gaza detyrohen të lënë shtëpitë e tyre, duke lënë gjithçka pas për të shpëtuar jetën e tyre, njoftohet në postimin ku bëhet e ditur se "ata janë të rraskapitur dhe nuk kanë vend të sigurt për të shkuar".

Komisionari i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, në një deklaratë të bërë të dielën theksoi se më shumë se 75 mijë palestinezë emigruan në jug të Gazës vetëm gjatë vendimit të fundit të Izraelit për evakuim.

Një tjetër valë migrimi të detyruar në Khan Younis

Në lindje të qytetit Khan Younis po përjetohet sërish një valë e madhe migrimi të detyruar për shkak të sulmit tokësor që sërish po ndodh nga ushtria izraelite dhe thirrjeve për "evakuim" për disa rajone.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, i cili kishte kërkuar më parë evakuimin e gati 10 lagjeve në Khan Younis, në një deklaratë që bëri më 8 gusht, bëri thirrje për evakuimin e një zone të madhe që mbulon shumë qytete./aa