Mjekja Lorilda Budo është një nga përfitueset e programit për kredi të lehtësuar me 0% interes, duke realizuar kështu ëndrrën e saj për një shtëpi të re.

Ajo është mjeke alergologe-imunologe klinike.

Historia e doktoreshë Lorildës u përcoll nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, teksa u bëri thirrje mjekëve dhe infermierëve të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij programi.

“Sot, Dr. Lorilda ka një shtëpi të saj duke mos u shqetësuar për kostot e larta të interesit, ndaj nxito të përfitosh edhe ti nga 45 kuotat e hapura për mjekë dhe infermierë për kredi me 0% interes dhe siguro shtëpinë tënde”, u shpreh ajo në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja po ashtu solli në vëmendje se sot është afati i fundit i aplikimit, deri në orën 00:00.

Ajo siguroi për vijimin e mbështetjes për bluzat e bardha në të gjithë vendin.

“Do të vijojmë të mbështesim të gjithë profesionistët e rinj, të cilët me përkushtim zgjedhin të punojnë dhe kontribuojnë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Koçiu./ata