Ministria e Financave do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të plotësojë vendimin në lidhje me profesionet e lira për të saktësuar se çfarë do të ndodhë me pagesat që individët kryen nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit e deri në shfuqizimin e tij nga kjo gjykatë.
Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për shtyp të mbajtur nga ministri i Financave, Petrit Malaj.
“Gjykata Kushtetuese nuk shprehet se çdo të ndodhë me efektet që ka prodhuar ky ligj deri në momentin e vendimit të saj për ta shfuqizuar. Duke qenë se ky ligj ka prodhuar disa efekte financiare, po përgatisim një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese, ku do t’i kërkojmë saktësime”, tha Malaj.
Deri atëherë, nënvizoi ai, Ministria e Financave nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim.
“Me marrjen e vendimit apo plotësimin e saktësimit do të ndjekim hapat në përputhje me të“, shtoi Malaj.
Më 27 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë të përjashtuar nga tatimi me 15 % bizneset e vogla ofrues të shërbimeve porfesionale, me xhiro vjetore deri 14 milionë lekë. Gjykata shfyqizoi nenin 69, shkronja dh, fjalia e 2 dhe e 3 e ligjit dhe nenin 4 të VKM 753/2023.
Sipas këtij vendimi, për të vetpunësuarit, individët tregtarë dhe entitetet ofrues të shërbimeve profesionale me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë në vit, tatimi i fitimit do të jetë zero deri në fund të 2029, nga 15 % që u miratua në fillim të këtij viti./ata