Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për pagat e minatorëve të kombinatit metalurgjik, Trepça, që gjendet në Mitrovicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se kjo shumë është ndarë për të tejkaluar krizën aktuale, pasi “ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga prodhimi”.

Që nga fillimi i muajit korrik, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje e kanë ndërprerë punën, për shkak se nuk u janë paguar pagat për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së shujtave ditore për ushqim.

“Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, tha Kurti në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë të mërkurën.

Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre është 740 euro.

Sindikata e Punëtorëve të Trepçës, e konsideron të mjaftueshme si fillim ndarjen e këtyre mjeteve për ta tejkaluar krizën dhe për rifillimin e punës.

Kjo sindikatë ka paralajmëruar protestë për 14 gusht.

Ibrahim Januzi, kryetar i kësaj sindikate, pas vendimit të Qeverisë, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk kanë biseduar me Këshillin Protestues për protestën e paralajmëruar, por, sipas tij, më nuk ka arsye për protestë.”

Menaxhmenti i Trepçës, më 31 korrik, mosekzekutimin e pagave e ka arsyetuar në mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit./EuroNews