Qeveria izraelite ka miratuar ndërtimin e një vendbanimi të ri vetëm për hebrenjtë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, ndërtimin e vendbanimit ‘Nahal Heletz’ pranë Betlehemit e quajti një “moment historik”.
Qeveria izraelite ndau rreth 148 hektarë tokë për të ndërtuar vendbanimin e ri, i cili do të jetë pjesë e bllokut të vendbanimeve ‘Gush Etzion’.
“Sot, Adiministrata Civile përfundoi punën e saj profesionale dhe publikoi një linjë të re blu për vendbanimin Nahal Halitz në Gus Etzion”, shkroi Smotrich në platformën sociale X.
“Asnjë anti-izraelizëm apo anti-sionizëm nuk do të ndalojë zhvillimin e vazhdueshëm të vendbanimeve. Ne do të vazhdojmë të luftojmë idenë e rrezikshme të një shteti palestinez dhe të vërtetojmë faktet në terren. Ky është misioni im i jetës”, shtoi ai.
Vendbanimi i ri është një nga pesë pikat e vendbanimeve që qeveria izraelite ra dakord të legalizojë në Bregun Perëndimor të pushtuar qershorin e kaluar në përgjigje të njohjes së një shteti palestinez nga Spanja, Norvegjia, Irlanda, Sllovenia dhe Armenia.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.
Në një opinion historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli “të paligjshëm” pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./aa