Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry tha se nuk mund të flitet për të ardhmen e Gazës pa siguruar armëpushim në këtë rajon në të cilin Izraeli vazhdon sulmet e tij.

Shoukry në Kajro priti në takim ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e cila ndodhet për vizitë në vendin e tij. Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Shoukry tha se me homologen gjermane diskutuan mbi çështjen se si të përballen me situatën aktuale në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Duke folur lidhur me planet për të ardhmen e Gazës, Shoukry tha: "Duhet të fokusohemi tek armëpushimi. Pa siguruar armëpushim nuk mund të flitet për të ardhmen e Gazës. Në mënyrë që kjo bisedë të ketë kuptim është e nevojshme që më parë të sigurohet armëpushimi".

Ministri egjiptian reagoi ndaj heshtjes së komunitetit ndërkombëtar përballë shënjestrimit të fëmijëve dhe gazetarëve në Gaza.

"Kanë humbur jetën 10 mijë fëmijë ndërkohë që duhej të kalohej në veprim qoftë edhe për një fëmijë. Më shumë të tjerë ndodhen nën rrënoja. Komuniteti ndërkombëtar nuk është në gjendje të kërkojë armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Jemi mësuar me ngritjen në këmbë të komunitetit ndërkombëtar kur preket një gazetar, por deri më tani nuk kemi dëgjuar ndonjë kritikë lidhur me përjetimet në Gaza", deklaroi Shoukry.

Duke kritikuar edhe pengesën për hyrjen e gazetarëve dhe të zyrtarëve në Gaza, Shoukry tha: "Përse ka një ndalesë të tillë. A pengohen qëllimisht zyrtarët dhe mediat të shohin situatën tragjike në Gaza?". Pasi bëri thirrje për sigurimin e armëpushimit të menjëhershëm në Gaza, Shoukry theksoi se rritja e ndihmave humanitare që hyjnë në rajon dhe pengimi i migrimit të detyruar janë jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Shefi i diplomacisë egjiptiane, Shoukry shtoi se vazhdimi i pushtimit izraelit është arsyeja kryesore e destabilitetit në rajon./aa