Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me Amy Kokalarin, përfituesen e një prej 5 bursave të qeverisë shqiptare për studimet në Kolegjin e Evropës në Tiranë.
“Kokalari mezi pret të kthehet në vendin e origjinës për të studiuar në ciklin e parë të studimeve master në Kolegjin e Evropës, Kampusin e Tiranës, me dëshirën që më pas të kontribuojë për zhvillimin e vendit, përmes njohurive të avancuara dhe përvojës në fushat e diplomacisë dhe integrimit evropian”, u shpreh Manastirliu.
Amy është një vajzë e lindur në Itali, por e lidhur fort me vendin e origjinës dhe emrin e familjes së njohur Kokalari në Gjirokastër.
“Diplomuar në “Studime Ndërkombëtare” (Bachelor) në Universitetin e Trentos me nota maksimale dhe bursë të plotë, Master në “Qeverisja Transnacionale” në Institutin Universitar Evropian të Firences, dhe në “Lidership për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Made in Italy” nga Fondacioni Itali-USA, ajo sot është një eksperte në diplomaci, teknologji, dhe proceset integruese në BE”, shtoi ministrja./ata