Në vazhdën e diskutimeve për hapjen e Urës së Ibrit, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha sot se këshillat e ndërkombëtarëve duhet të merren parasysh.

Sipas tij mirëpritet koordinimi siç ka thekuar kryeministri Albin Kurti e po ashtu nevojitet depërshkallëzimi i retorikës.

“Mbështetje e plotë për NATO-KFOR-in dhe vijat e qarta të kuqe, përfshirë për urën e Mitrovicës. Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar që shkaktuan lëndime të ushtarëve dhe civilëve të KFOR-it nuk duhet të përsëriten. Këshillat duhet të merren parasysh. Nevojitet depërshkallëzimi i retorikës; mirëpresim koordinimin siç theksoi Albin Kurti”, tha Rohde në një postim në rrjetin social X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak kundër partnerëve të Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi se po vazhdojnë koordinimet me partnerët ndërkombëtarë për Urën e Ibrit në Mitrovicë.

/KosovaPress/