Në spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” u krye me sukses operacioni i një pacienteje, e cila kishte diagnozën placenta accreta centrale me infiltrim të vezikës urinare të indeve përreth.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e cilësoi si rast suksesi këtë ndërhyrje, teksa informoi se u bë e mundur përdorimi i një teknike të re operatore sa i përket këtyre patologjive, të cilat janë ndër patologjitë më madhore të obstetrikës.
“Falë diagnostikimit nëpërmjet rezonancës magnetike, krijimit dhe zbatimit të protokolleve të spitalit si dhe marrjes së masave për të pasur një ekip sa më të gjerë kirurgësh, obstetër gjinekolog dhe neonatë u bë e mundur përdorimi i një teknike të re operatore sa i përket këtyre patologjive, të cilat janë ndër patologjitë më madhore të obstetrikës”, tha ajo.
Falë kësaj ndërhyrje, bën të ditur Koçiu, nëna dhe bebi gëzojnë shëndet të plotë.
Ajo shprehu mirënjohjen e saj për ekipin e mjekëve dhe infermierëve, Prof. Eliona Demaliaj, Dr. Evis Binaj, Dr. Ersilda Dedja, Dr. Ahmet Ponari, Dr. Shaje Berisha si dhe infermiere Aida Shehi./ata