Me ftesë të Ministrisë së Brendshme, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët do të luajë rolin e “monitorimit dhe konsulencës” në dy qendrat në Gjadër, për procedurat e identifikimit dhe riatdhesimet për një kohëzgjatje fillestare prej tre muajsh.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) u ftua zyrtarisht nga Ministria e Brendshme italiane për të monitoruar zbatimin e Protokollit dhe për të garantuar “të drejtat dhe dinjitetin e atyre që do të jenë në kamp”.
Prania e stafit të UNHCR-së ku bëhen kërkesat për azil dhe ku mbahen migrantët, është një praktikë e konsoliduar, në përputhje me mandatin e agjencisë së OKB-së për të mbikëqyrur zbatimin e Konventës së Refugjatëve të vitit 1951 dhe për të siguruar mbrojtjen e refugjatëve.
UNHCR nuk mori pjesë në negociatat ndërmjet Romës dhe Tiranës për hartimin e Protokollit, por pas një sërë takimesh në të cilat qeveria italiane “siguroi informacion të mëtejshëm” mbi zbatimin e tij dhe “ripohoi dëshirën e saj të fortë që ai të ishte në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare”, Ministria e Brendshme italiane ka futur Agjencinë e Kombeve të Bashkuara në rolin e “monitorimit dhe konsulencës” për një kohëzgjatje fillestare prej tre muajsh.
Gjatë kësaj periudhe, UNHCR-ja “do të kërkojë të përmirësojë mbrojtjen e azilkërkuesve dhe refugjatëve duke identifikuar dhe raportuar tek autoritetet përkatëse çdo mospërputhje me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe refugjatët dhe standardet e praktikave të mira, dhe do të punojë për të përmirësuar garancitë e mbrojtjes”./TopChannel