Presidenti amerikan Joe Biden dhe zv/presidentja Kamala Harris, vlerësuan me ekipin e sigurisë kombëtare zhvillimet e fundit të përjetuara në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të bërë nga Shtëpia e Bardhë njoftohet se Biden dhe Harris u takuan me ekipin e Sigurisë kombëtare në "Dhomën e Situatave".
Në deklaratë theksohet se në takimin ku u diskutua për tensionet e rritura kohët e fundit në Lindjen e Mesme, u vlerësua tensioni në rritje mes Izraelit dhe Iranit pas vrasjes së kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, si dhe hakmarrja e mundshme e Iranit ndaj Izraelit.
Ekipi i sigurisë kombëtare informoi dy zyrtarët për "kërcënimet ndaj Izraelit me burim nga Irani", ndërsa gjatë takimit u diskutuan në mënyrë gjithëpërfshirëse përpjekjet ushtarake të SHBA-së për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit.
Gjithashtu në takim u vlerësuan edhe përpjekjet diplomatike që vazhdojnë për uljen e tensionit rajonal dhe për të çuar në përfundim procesin e armëpushimit të mundshëm në Gaza.
Biden mblodhi ekipin e tij të sigurisë kombëtare më 5 gusht për të vlerësuar situatën e fundit në Lindjen e Mesme. Temat kryesore të takimit, ku mori pjesë edhe Harris, ishin tensioni në rritje në rajon dhe sulmi ndaj bazës ushtarake Al Asad në Irak.
Tensioni në Lindjen e Mesme u rrit pas sulmit ajror që Izraeli ndërmori në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, ndaj Fuad Shukr, një prej komandantëve të lartë të Hezbollahut, si dhe vrasjes së kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran.
Kundër Tel Avivit janë bërë kërcënime për hakmarrje nga Irani dhe Hezbollahu libanez, të cilët e kanë mbajtur Izraelin përgjegjës për vrasjet./aa