Gazetarët që mbulojnë ofensivën dhjetëmujore të Izraelit në Gaza po vdesin me një shkallë shumë më të lartë se ajo e profesioneve të tjera, duke sugjeruar se ata janë duke u shënjestruar qëllimisht nga ushtria izraelite, tha një grup i shquar ndërkombëtar gazetarësh.
"Shkalla e vdekshmërisë mes gazetarëve është shumë, shumë më e lartë se në profesionet e tjera civile. Në të vërtetë, me më shumë se 12 për qind të gazetarëve të Gazës të vdekur, bëhet fjalë për një shkallë vdekshmërie që do të ishte jashtëzakonisht e lartë për ushtarët e këmbësorisë", tha për Anadolu, Tim Dawson, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ).
Më 10 gusht, dy gazetarë - Tamim Ahmed Abu Muammer nga Televizioni Palestinez dhe Abdullah Mahir al-Susi nga Kanali Al-Aqsa - u vranë në sulmet izraelite, duke shtuar numrin në rritje të viktimave të shtypit në konfliktin e Gazës.
Dawson tha se veprimet e Izraelit shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ligjet e luftës.
"Që nga fillimi i konfliktit, mbi 100 gazetarë kanë humbur jetën. Shifrat e mia janë rreth 120, por ka mënyra të ndryshme matjeje dhe disa njerëz e vlerësojnë atë dukshëm më të lartë", deklaroi ai.
Dawson gjithashtu theksoi sistemet e përparuara të vëzhgimit dhe shënjestrimit të Izraelit, të tilla si Lavender, Gospell dhe Pegasus, të cilat ngrenë shqetësime për shënjestrimin e qëllimshëm.
"Ne e dimë se ushtria izraelite ka një softuer shumë të sofistikuar që mund të gjurmojë njerëzit, që mund të programojë dronët për të shkaktuar vdekje në një adresë shumë të veçantë", tha Dawson.
Përtej vrasjeve, Dawson kritikoi censurën mediatike të Izraelit në Gaza, duke e quajtur atë "përpjekje për të kontrolluar narrativën".
"Ata përjashtuan gazetarët e huaj nga Gaza. Gazetarët e huaj kanë kërkuar vazhdimisht që të lejohen dhe janë refuzuar. Ne e dimë se qeveria izraelite ua ka vështirësuar jetën gazetave që kanë një pikëpamje paksa të ndryshme nga e tyrja për konfliktin në vazhdim”, shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se gazetarëve të huaj u është refuzuar hyrja në mënyrë të përsëritur dhe platforma si Al-Jazeera janë dëbuar nga Izraeli.
Më tej, Dawson theksoi nevojën për qasje të pakufizuar në media në Gaza dhe mbështetje për gazetarët që punojnë në kushte të rrezikshme.
Ai vuri në dukje se IFJ-ja ka paraqitur ankesa në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke pohuar se shënjestrimi i gazetarëve nga Izraeli mund të përbëjë krim lufte.
Dawson theksoi rëndësinë e një hetimi të plotë ndërkombëtar për t’i mbajtur përgjegjës autorët.
Që nga 7 tetori 2023, sulmet e Izraelit në Gaza kanë marrë jetën e 168 gazetarëve, duke përfshirë profesionistë nga kombësi të ndryshme.
Viktima të shquara përfshijnë fotoreporterin e Anadolus, Ali Jadallah, familja e të cilit u vra në një sulm në shtëpinë e tij, dhe kameramanin e pavarur Muntasir al-Sawaf, i cili u vra në një sulm ajror./aa