Kina ka rishikuar një projektligj që do ta bëjë më të lehtë për çiftet regjistrimin e martesës së tyre dhe më të vështirë divorcin, një veprim që ngjalli reagime nga përdoruesit e mediave sociale dhe është bërë një temë e nxehtë sot në internet.
Drafti, i cili synon të ndërtojë një “shoqëri miqësore ndaj familjes”, u vendos për konsultim publik këtë javë nga Ministria e Çështjeve Civile të Kinës. Qytetarët mund t’i paraqesin komentet e tyre në ministri deri më 11 shtator.
Autoritetet po përpiqen të inkurajojnë çiftet e reja që të martohen dhe të kenë fëmijë ndërsa popullsia e vendit bie për dy vjet rresht.
Ligji i propozuar heq kufizimet gjeografike për martesën sipas ligjit aktual, sipas të cilit martesat bëhen në vendet ku çdo çift është i regjistruar.
Ndërsa divorcet do t’i nënshtrohen një periudhe rishikimi 30-ditore, gjatë së cilës nëse njëri bashkëshort nuk dëshiron të divorcohet, çifti mund të tërheqë kërkesën, duke i dhënë fund procesit.
“Është e lehtë të martohesh, por e vështirë të divorcohesh. Çfarë rregulli budalla,” shkroi një përdorues në platformën kineze të mediave sociale Weibo, duke mbledhur dhjetëra mijëra pëlqime.
Projektligji synon të “promovojë rëndësinë e martesës dhe familjes”, të frenojë divorcet spontane, të mbështesë stabilitetin social dhe të mbrojë më mirë të drejtat ligjore të palëve të përfshira, tha Jiang Chuanbao, një profesor universitar.
Numri i çifteve në Kinë që u martuan në gjysmën e parë të këtij viti ra me 498,000 nga një vit më parë në 3.43 milionë, më i ulëti që nga viti 2013, pasi më shumë të rinj e shtyjnë martesën, treguan të dhënat zyrtare.
Martesa zakonisht konsiderohet si një parakusht për të pasur fëmijë, pasi vendi ka ligje dhe politika të ndryshme, të tilla si kërkesa që prindërit të dorëzojnë një certifikatë martese për të regjistruar fëmijën e tyre në autoritetet e gjendjes civile në mënyrë që të marrin përfitime. /tesheshi.com/