Komuniteti minoritar turk në Greqi po ngre zërin për shkeljen sistematike të të drejtave të tyre arsimore, të garantuara sipas Traktatit të Lozanës të vitit 1923. Katër shkolla të tjera të pakicës turke në rajonin e Thrakës Perëndimore në Komotini (Gümülcine) do të mbyllen, me arsyetimin e autoriteteve greke se numri i nxënësve nuk është i mjaftueshëm dhe për arsye ekonomike.

Qeveria greke vijon të ndjekë politikën e saj të mbylljes së shkollave të pakicës turke çdo vit, duke pretenduar se numri i nxënësve ka rënë nën nëntë, tha për Agjencinë Anadolu (AA) Aydın Ahmet, kryetari i Shoqatës së Mësuesve Turq të Thrakës Perëndimore (BTTÖB).

Në fshatrat Hacıören, Keziren dhe Payamlar në Rodop dhe Karaöy në Xanthi (Iskeçe), katër shkolla fillore nuk do të hapin dyert për vitet e ardhshme shkollore. Ky veprim ka ulur numrin e shkollave fillore turke në Thrakën Perëndimore nga 231 në vitin 1996, në vetëm 86, tha Ahmet.

“Qeveria greke nuk konsultohet me pakicat kur merr vendime për arsimin e tyre,” tha ai. “As nuk përmbush premtimet për të rihapur shkollat nëse numri i nxënësve kalon nëntë brenda dy vjetëve.”

Ahmet vuri në dukje se mësuesit turq të Thrakës Perëndimore, të diplomuar në universitetet e Turqisë, nuk lejohen të punojnë në shkollat e pakicës në rajon dhe se nuk ka arsim parashkollor dygjuhësh për pakicat, megjithëse arsimi parashkollor është i detyrueshëm në Greqi.

“Fëmijët duhet të edukohen në gjuhën e tyre amtare për të ndërtuar vetëbesimin e tyre, dhe kjo nuk është e mundur në një shkollë shtetërore ku nuk flitet gjuha amtare e fëmijës,” tha Ahmet.

Ai gjithashtu u ankua se kërkesat e pakicës turke për kopshtet dygjuhëshe janë injoruar deri më sot dhe se në kopshtet shtetërore bëhet propagandë se shkollat fillore të pakicës janë me cilësi të dobët dhe të papërshtatshme.

Rreth 150,000 myslimanë turq në Thrakën Perëndimore, një nga zonat më të varfra ekonomikisht në Greqi, kanë kohë që ankohen për përkeqësimin e kushteve. Qeveria greke, duke e parë këtë komunitet si “peng” të lidhjeve të tij me Turqinë, ka kryer shumë shkelje të detyrimeve të saj sipas traktateve dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përfshirë mbylljen e shkollave, ndalimin e arsimit në gjuhën turke dhe refuzimin për të lejuar ligjërisht komunitetin të zgjedhë liderët e tij fetarë, siç janë muftijtë. /Tesheshi.com/