Anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Kristian Kina ka reaguar nga selia e PL në lidhje me shifrën e personave nga Shqipëria që kanë kërkuar azil në Angli.

Ai u shpreh se Shqipëria kryeson listën duke lënë mbrapa edhe vende si Pakistani. Kina theksoi se sot po përsëritet eksodi masiv i shqiptarëve jashtë vendit për shkak të keqqeverisjes nga ana e socialistëve.

 

“Sot kërkohet rezistencë! Sot kërkohet mobilizim! Vendi thërret për bijtë e tij patriotë, për rikthimin e demokracisë një orë e më parë, për organizim kapilar për të rikthyer shpresën e munguar”, u shpreh ai.

 

Deklarata e plotë

 

Pak ditë më pare, u bë i njohur për publikun një studim shokues: Shifrat e personave që kanë kërkuar azil në Angli, për vitin 2022! Të gjithë menduam se vendet në luftë do të kryesonin listën në këtë aspekt, sepse  pasiguria fizike për jetën menduam se mund të prevalonte mbi gjithçka. Por, u gabuam ! Edhe në këtë rast, banda e Rilindjes ka thyer çdo rekord dhe çdo rregull të filozofisë psikologjike !

 

Ashtu si një eksperiment social, Edi Rama po i tregon botës se: Kur mblidhen bashkë papunësia, rrogat e ulëta, korrupsioni i pafre, nepotizmi partiak, mungesa e ndëshkueshmërise ,krijojnë një frikë më të madhe sesa frika për jetën!

 

 

Dhe kjo frikë i imponon njerëzit që të largohen, të largohen pa u menduar 2 herë e për të mos u kthyer më kurrë ! Vendi që kryesonte renditjen në studim, siç kuptohet qartë, nuk ishin ato vende të cilat ishin ne luftë por një vend tjetër…. Shqipëria jonë !

 

Ndërkohë që, nga Pakistani ishin afro 2’000 persona që kishin kërkuar azil në Angli, nga Shqipëria ishin  plot 16’000. 16 mijë shqiptarë që kanë ikur nga Shqipëria në Angli në vitin 2022 dhe kërkojnë azil ! Ndërkohë që,nga Sudani, India, Eritrea,  Bangladeshi, Siria ishin afro 3000-4000 persona,  nga Shqipëria 16’000 .

 

Çfare krahasimi deshperues! Të vetmet rivale tonat, edhe pse në fakt, ne ishim me goxha avantazh, ishin Irani dhe Afganistani, përkatësisht me 9’000  dhe 10’000 azilkërkues. Pra,ky është niveli ku na ka degdisur kjo qeveri ! Vëllezërit dhe motrat tona po ikin  të tmerruar nga ky vend! Kush me maune, kush me gomone, kush me skafe e kush me dokumente jo të ligjshme, po ikin ! Po ikin te gjithë !

 

Eksodi masiv i viteve ’90  po përsëritet ! Shqipëria po zbrazet !  Nëpër qytete, kanë ngelur të vetmuar vetëm mosha e tretë ! Pyetja që të gjithë shtrojmë  për diskutim është: Ore pse po ikin gjithë këta shqiptarë, nqs vendi është në lulëzim, siç përpiqet të na tregojë Edi Rama ?

 

Nqs vendi ka rritje ekonomike, siç na thotë agjit-propi i regjimit, atëherë a nuk duhej që shqiptarët të jetonin të kënaqur këtu, dhe jo të arratiseshin me keq se në luftë? Pse po ikin kukësianet ne Angli,fierakët, vlonjatët , shkodranët, dhe mbarë shqiptarët nga trojet e tyre, nga familjet e tyre, nga kjo tokë dhe klimë e mrekullueshme?

 

Të dashur vëllezër dhe motra! Është e vërtetë që Shqipëria nuk ka lindur nga Edi Rama, por tashmë po rrezikohet seriozisht që Shqiperia të shuhet nga ky njeri me këtë emër! Çdo ditë  e më shumë, që ky Kryeminister qëndron në fuqi, aq më shumë rreziqe i kanosen Shqipërisë sonë !

 

Sot kërkohet rezistencë! Sot kërkohet mobilizim! Vendi thërret për bijtë e tij patriotë, për rikthimin e demokracisë një orë e më parë, për organizim kapilar për të rikthyer shpresën e munguar !

 

Dita e parë vendimtare është 14 Maji! 14 Maji do të simbolizojë ditën e fitores mbi monizmin, do të simbolizojë ditën kur do të rikthehet llogaridhënia, ku do të fillojë të  buçasë e vërteta e lirë nëpër tribunat bashkiake dhe hallet e shqiptarëve të dëgjohen e të zgjidhen denjësisht !

 

Të gjithë me sytë drejt 14 Majit, si dita e shpëtimit, si dita e çlirimit ! Kërkohet : Ndryshim me çdo cmim !