Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi reagoi sot lidhur me situatën në spitalin Onkologjik.

Sipas saj, situata vijon të jetë problematike në këtë spital.

“Para disa javësh, i gjithë opinioni publik u trondit me skandalin te onkologjiku.  Ajo çka ndodhi te onkologjiku është veç një tjetër skandal, në radhën e gjatë të skandaleve të kësaj qeverie, me ndryshimin e vetëm, që çdo ditë që zgjat ky skandal, çdo ditë që nuk reagohet, më shumë pacientëve iu përkeqësohet shëndeti, më shumë humbin jetën”, tha ajo.

“Sot, gjendja në onkologjik vijon e njëjtë. Vazhdojnë mungesat në disa medikamente, në disa kura. Vijon mosfunksionimi i aparaturave dhe pajisjeve të trajtimit”, u shpreh Vokshi.

Dje, shtoi Vokshi, “kanë mbërritur denoncime të tjera pranë Partisë Demokratike për mosfunksionimin e aparaturave, ose dera e aparaturës nuk punon ose aparatura nuk funksionon. Në vend që të bëhen 5 herë në javë terapi, pacientëve iu mundësohet vetëm dy herë në javë, ose një herë në javë, ose asnjë herë”.

Vokshi theksoi më tej se, “PD jo vetëm e ka denoncuar, deputetët e PD kanë kërkuar interpelanca, dëgjesa në komision, por personalisht kam kallëzuar penalisht në SPAK çdo person që ka shpërdoruar detyrë, ka vjedhur, apo nuk ka reaguar ndaj situatës”.

Vokshi publikoi edhe padinë ndaj Kryeministrit Rama, 3 ministrave të Shëndetësisë, ish-ministrit Ilir Beqaj, ish-ministres Ogerta Manastirliu, ministres aktuale Albana Koçiu dhe ish-drejtorit të QSUNT, Enkel Joti për shpërdorim detyre, vrasje dhe neglizhim në shërbimin mjekësor./ata