Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u bëri thirrje sot shtetasve shqiptarë që përpara se të udhëtojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të kontrollojnë regjimin e vizave për një informacion më të saktë për vendet ku udhëtohet pa/me vizë.
Dokumentacioni që duhet të sigurojë shtetasi shqiptar për tu pajisur me vizë në raste të udhëtimit në vendet ku Republika e Shqipërisë është me regjim vizash është i ndryshëm për shkak të legjislacionit të huaj të ndryshëm dhe qëllimit të udhëtimit.
Shtetasit duhet të kenë përgjatë udhëtimit pasaportën me vlefshmërinë e lejuar dhe pranuar nga legjislacioni i shtetit të destinacionit dhe vizën e nevojshme për udhëtim.
Mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, të pajisur sipas legjislacionit në fuqi janë të lutur t’i përdorin këto dokumente për qëllimin e funksionit, për të cilin janë pajisur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Informacioni mbi dokumentacionin, formën dhe mënyrën e aplikimit për vizë apo shteti se ku duhet të aplikohet gjendet në faqet zyrtare të ministrive të vendeve të huaja apo Përfaqësive të tyre diplomatike të cilat kanë në juridiksionin e mbulimit të tyre diplomatik apo konsullor Republikën e Shqipërisë.
Shtetasit shqiptarë para se të udhëtojnë duhet të kontaktojnë me përfaqësinë më të afërt të vendit të destinuar për t’u informuar për kushtet e hyrjes dhe daljes në këtë vend. MEPJ nuk është përgjegjëse për ndryshime ose pasaktësi në informacionin e dhënë.
Shtetasit shqiptarë duhet të sigurohen nëse në vendet ku do të udhëtojnë ka trazira politike, fatkeqësi natyrore, sëmundje, epidemi apo është e nevojshme vaksinimi. Rekomandohet njohja e traditave, zakoneve dhe dokeve të vendeve ku do të udhëtoni.
Para udhëtimit MEPJ bën të ditur se, në faqet zyrtare të Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të Republikës së Shqipërisë, që mbulojnë vendet ku do të udhëtojnë gjenden dhe numrat e emergjencës për çdo rast fatkeqësie, aksidenti apo urgjence.
Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Egjipt, MEPJ ka publikuar udhëzimin për mbajtjen e ilaçeve për përdorim personal, gjithashtu sasinë e lejuar të medikamenteve, produkteve kozmetikë, produkteve veterinare, si dhe tabelën me ilaçet apo produktet e ndaluara.
Shtetasit e huaj që udhëtojnë në Izrael nëpërmjet Aeroportit Ben Guroi, pajisen me një Vizë Hyrëse/Entry Stampe, në hyrje të aeroportit, të cilën duhet ta mbajnë gjithmonë me vete gjatë qëndrimit në Izrael deri në largimin nga vendi, pasi shërben si evidencë qëndrimi të ligjshëm dhe mund të kërkohet dhe gjatë kohës që shtetasit vizitojnë Izraelin. Vendimi për të hyrë në shtetin e Izraelit i takon vetëm strukturave të sigurisë dhe migracionit në Aeroportin Ben Gurion. Nëse nuk jeni lejuar të hyni në Izrael dhe jeni pajisur me urdhër kthimi, duhet të kontaktoni Ambasadën izraelite në Shqipëri, për t’u informuar nëse mund të udhëtoni sërish drejt Izraelit.
Prej datës 1 gusht 2024 shtetasit e përjashtuar nga viza duhet të plotësojnë aplikacionin pilot pa pagesë ETA-IL, dhe mund të udhëtojnë drejt Izraelit vetëm pas një miratimi paraprak ose një vize të vlefshme. Diplomatët që janë në një mision apo detyrë zyrtare do të përjashtohen nga aplikimi (pasaportë diplomatike, shërbimi dhe zyrtare). Pas kësaj periudhe aplikimi në ETA-IL do të jetë me pagesë 25 NIS. Link për miratimin paraprak para se të udhëtoni drejt Izraelit: https://israel-entry.piba.gov.il
Shtetasit e huaj që udhëtojnë drejt Balit duhet të paguajnë një taksë prej 150.00 IDR (rreth 9 EU/10 USD), e cila ka si qëllim mbrojtjen e kulturës dhe mjedisit. Taksa do të paguhet online nëpërmjet portalit https://lovebali.baliprov.go.id/ ose duke shkarkuar aplikacionin “Love Bali” në google play/app store.
Përjashtohen nga detyrimi për kryerjen e pagesës së kësaj takse, mbajtësit e vizave diplomatike dhe të shërbimit; anëtarët e ekuipazhit në mjete transporti; Mbajtësit e lejeve të përkohshme dhe të përhershme të qëndrimit; Mbajtësit e vizave për bashkim familjar, studimore, të larta dhe të tjera që kanë aplikuar për përjashtimin nga taksa nëpërmjet sistemit “Love Bali” të paktën 5 ditë para mbërritjes në Bali.
Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Shtetin e Katarit, MEPJ informon se mbajtja dhe hyrja me produktet e duhanit si më poshtë, në këtë shtet do të ketë pasoja ligjore: Chewing tobacco (duhan i përtypshëm), Cigare elektrike, shishja dhe gjenerikën e të gjitha produkteve të duhanit, Chewing tobacco të të gjitha formave ose markave, Pajisje automatike për shitjen e cigareve, Reklamimi, Promovimi ose Sponsorizimi i duhanit ose derivateve të tij.
Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Provincën e Hajnan në Republikën Popullore të Kinës. Prej datës 1 maj 2018 mund të udhëtojnë pa vizë, për qëndrim afatshkurtër.
Për shtetasit që dëshirojnë të udhëtojnë në Republikën Islamike të Iranit, rekomandohet shmangia e udhëtimeve për çdo lloj motivi.
Sa i përket udhëtimit në Republikën Arabe të Sirisë, MEPJ bën të ditur se, mbajtësit e pasaportës diplomatike, të shërbimit dhe speciale aplikojnë pranë përfaqësisë diplomatike siriane duke përcjellë dokumentin: Pasaportës, notën verbale, foto të aplikuesit me sfond të bardhë dhe pajisen me vizë elektronike./ata