Aleksandar Vuçiç e mbajti fjalimin e tij drejtuar serbëve, por ndonëse nuk përmendi dorëheqjen siç përflitej në mediat vendase e ato kosovare, kishte një lloj dorëzimi në deklaratat e presidentit serb.

 
 
 
 
 

Teksa dha detaje lidhur me takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e SHBA, BE, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për çështjen e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve, Vuçiç la te kuptohej se vendi tij po përballet me një lloj ultimatum nga Perëndimi.

Nëse Serbia do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk bie dakord me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, u shpreh kreu i shtetit serb.

 
 

“Në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan. Në rast mospranimi, Serbia do të përballet me ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se plani “de fakto” u shndërrua në kuadrin e ri të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunon për këtë, duke nënvizuar se propozimi tashmë është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën.

Të premten e javës së shkuar, pesë diplomatët perëndimorë,  i dërguari evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ai amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, nga Prishtina udhëtuan për në Beograd, ku në të dyja qendrat e bënë të qartë këmbënguljen e tyre për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Duke i cilësuar bisedimet e së premtes si shumë të vështira ai tha se në rast të refuzimit, për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet. Presidenti serb kujtoi se edhe (Slobodan) “Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, duke iu referuar fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe pasi Beogradi refuzoi një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi në pranverën e vitit 1999.