Provat për terroristin Millan Radojçiq dhe grupin e tij që i kërkoi Serbia nga institucionet e Kosovës, sipas njohësve të ligjshmërisë në Kosovë, në këtë fazë është e pamundur që Kosova t`ia japë. Sipas tyre, përveç problemeve politike që kanë të dy shtetet njëra me tjetrën, në këtë fazë hetimore asnjë informatë nuk mund të kalojë në shtetin serb, shkruan RTK.
Bërje politikë konsiderohet kërkesa e autoriteteve serbe e ditës së djeshme në drejtim të shtetit të Kosovës, për dhënie të provave për kryekriminelin Millan Radojiçiç, i cili udhëhoqi sulmin terrorist në Bansjkë.
"Besoj më shumë është bërje politikë e Serbisë, për të bërë përpjekje për të amnistuar Radojçiçin dhe të tjerët, sepse Kosova paraprakisht ka kërkuar ndihmë juridike përmes EULEX-it në Serbi, dhe kjo gjë është refuzuar, ndërsa tani Serbia del me një kërkesë, që është në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës, sepse vepra penale është kryer në territorin e Republikës së Kosovës", tha për RTK, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Edhe një njohës tjetër i së drejtës ndërkombëtare është skeptik mbi seriozitetin e palës serbe, për gjykim të drejtë të rastit të Banjskës.
“Serbia në të kaluarën dhe vet trajtimi i këtij rasti, nuk është për t'u besuar se do ta trajtojë këtë rast konform procedurave penale që parashihen, sepse nëse do të kishte pasur Serbia vullnetin që ta trajtojë si rast dhe për t’i gjykuar ata që kanë marrë pjesë në këtë rast, atëherë normal që do të merrte ndihmen e ofruar në Kosovë, nëse jo drejtpërdrejt nga institucionet e Kosovës, kjo do të ndodhte përmes EULEX-it”, tha Taulant Hodaj, njohës i së drejtës ndërkombëtare.
Pengesat e patejkalueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e bëjnë të vështirë bashkëpunimin për t'i sjellë para drejtësisë terroristët e përfshirë në sulmin ndaj shtetit të Kosovës, në krye me Millan Radojqiçin, thonë njohësit e drejtësisë, shto këtu faktin që në bazë të kodit të procedurës penale e ligjeve të Republikës së Kosovës, është e pamundur që t'i jepen dëshmi apo informata një shteti tjetër për rastet të cilat ende janë në procedurë hetimore./SyriNet