Sali Berisha në fjalën e mbajtur përpara simpatizantëve nga Korça, kërkoi nga qytetarët angazhim maksimal në këto zgjedhje, pasi sipas tij janë më të rëndësishmet që nga marsi i vitit 1992.

Berisha theksoi se qytetarët duhet t’i besojnë Aliollit dhe përkushtimit që ajo ka për qytetarët e Korçës dhe fermerët e zonave përeth.
“Të dashur, qytetare dhe qytetarë të Korçës të pranishëm në këtë sallë! Korçare dhe korçarë kudo që jeni sot, në qytete ne fshatra, në Shqipëri në emigracion një përshëndetje vëllazërore për të gjithë ju.

E dashur zonja kandidate për bashkinë Korçë, Ledina Aliolli, me shpresë dhe besimplotë se do të jesh qytetarja e parë e këtij qyteti të bekuar.

Të dashur deputetë, i dashur zoti kryetar i PD-së, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.

Është një nder i madh, kënaqësi e veçantë ju falënderoj shumë për këtë pritje të zjarrtë. Kam ardhur sot tek ju me besimin e madh, mirëkuptimin tuaj, të mbarë korçarëve se vendi, kombi po kalon në disa momente të pashembullta në 32 vite. Në kohëra të papara ndonjëherë më parë dhe se vendi sot ka nevojë më shumë se kurrë për mençurinë tonë, për vendimin tonë të mençur.