BE-ja dënon sulmet e kolonëve nga Izraeli në Jit, në veri të Bregut Perëndimor dhe i kërkon Tel Avivit të ndalojë këto veprime “të papranueshme”, tha sot shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Ne dënojmë sulmet e kolonëve në Jit, që synojnë terrorizimin e civilëve palestinezë”, tha Borrell në X.
“Ditë pas dite, në një pandëshkueshmëri pothuajse totale, kolonët izraelitë nxisin dhunën në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke kontribuuar në rrezikimin e çdo mundësie për paqe”, vuri në dukje kryediplomati evropian.
“Qeveria izraelite duhet të ndalojë menjëherë këto veprime të papranueshme”, porositi ai.
“Konfirmoj synimin tim për të paraqitur një propozim për sanksione të BE-së kundër mundësuesve të kolonëve të dhunshëm, duke përfshirë disa anëtarë të qeverisë izraelite”, shtoi ai.
Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë përshkallëzuar me fillimin e luftës në Gaza më 7 tetor 2023.
Të paktën 633 palestinezë janë vrarë dhe rreth 5.400 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Në një opinion të rëndësishëm këshillues më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./aa