Nis sot edicioni i parë i festivalit të dritave “Shndrite n’Shirokë”.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehet se sot dhe nesër, do të jenë dy ditë plot aktivitet në Shirokën e bukur, të pakrahasueshmen e Shkodrës e cila mirëpret edicionin e parë të LightFest, festivalit i cili plotëson çdo dëshirë.

“Me artistë, panaire, kulinari, sporte ujore, paradë motoçikletash dhe argëtim për fëmijët, mos mungo në Shirokë më 17 dhe 18 gusht për Festivalin e Dritave”, shprehet Rama.

Investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen Shirokës, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe molin për varkat lundruese.

Shiroka e rilindur po mikpret turistë nga e gjithë bota teksa të tjera projekte transformuese janë në kantier apo do të jenë në kantier për Shkodrën Turistike 2030./ata