Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon turin shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të suksesshme, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.
Durrësi ishte ndalesa e radhës, ku DPA-ja “u ankorua” në përmbushje të angazhimit për të promovuar trashëgiminë dokumentare të kombit. Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, DPA-ja shfaqi në një nga sheshet e qytetit ekspozitën, që na rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.
Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të: Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme; Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut; Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve; Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume vajzash).
Ekspozita ngjalli kureshtjen e mjaft banorëve dhe turistëve të qytetit bregdetar.
Për të mësuar më tej mbi veprimtarinë dhe nismat e jetësuara nga DPA-ja, mund të vizitoni faqen zyrtare të institucionit në adresën www.arkiva.gov.al. /ata