Ishulli i Sazanit mbetet një ndër destinacionet më të preferuara edhe për këtë vit për turistët vendas dhe të huaj. Nuk vijnë vetëm për të bërë plazh por një pjesë e madhe e turistëve shfaqin interes për historinë e Sazanit.

Nga porti i Vlorës duhen jo me shumë 40 minuta për shkuar në këtë vend që mbetet ende mister për shumëkënd.

Mënyrat e vetme për të mbërritur në ishullin e Sazanit, më i madhi në Shqipëri me një sipërfaqe prej 5.7 km katrore, janë anijet turistike, gomonet dhe varkat qe ofrohen kundrejt pagesës nga agjencitë e lundrimit.

Ngjyra e kaltër e detit dhe gjelbërimi në ishull janë ato çka të bien direkt në sy.

Ndërsa godinat e vjetra që kane mbetur ende ne kembe janë ish-shkolla e ishullit, spitali apo kinemaja. Kjo vizitë në të shkuarën dhe pa padyshim vija bregdetare prej 15 km, i bën turistët të përjetojnë një  eksperiencë fantastike.

“Unë jam nga Rumania. Është hera e parë këtu. Është bukur. Çdo gjë është ok. Shpresojmë të kthehemi sërish”, tha një turist.

“Jam nga Tajlanda. Është hera e parë në Shqipëri për mua. Më pëlqen këtu. Një vend shumë i bukur”, tregoi një tjetër.

“Jam nga Rumania. Është hera e pra këtu në Shqipëri dhe Sazan. Isha kurioz për historinë. Natyra shumë e bukur”, u shpreh një tjetër.

Në ishullin e Sazanit, turistët gjejnë edhe mjaft atraksione të tjera si grykën e Gjehenemit, gjirin e  Shënkollës e Japrakës apo bunkerët e pa fundme të ndërtuara në kohën e komunizmit.

E më tërheqësja në këtë ishull që ngjall kureshtjen e turistëve nga e gjithë bota, janë anijet e mbytura të cilat nga historia rezultojnë që në kohën e Jul Cezarit e deri në Luftën e dytë Botërore.

Për historinë, bukurinë e jashtëzakonshme dhe gjithçka tjetër ofron, ishulli i Sazanit ka rënë edhe në syrin e një prej njerëzve më me influence në botë, dhëndrit të ish-presidentit Amerikan Donald Trump, Jared Kushner, i cili pritet të ndërtoje aty linjën më prestigjioze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts./Shqiptarja