Totali i depozitave në sektorin bankar ka përjetuar një rritje të ndjeshme në muajin korrik. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e depozitave ka arritur në 781 miliardë në fund të shtatëmujorit, pasi shënoi një ulje të konsiderueshme në qershor.
Konkretisht, vetëm depozitat e individëve kapën shifrën 598 miliardë lekë në korrik nga 595 miliardë që ishte në muajin pararendës. Depozitat me afat mbi 2 vjet vazhdojnë të grumbullojnë pjesën më të madhe të kursimeve të shqiptarëve, teksa në korrik kanë regjistruar një rritje me rreth 689 milionë. Kjo për arsye se depozitat afatgjata ofrojnë norma më të mira interesi krahasuar me depozitat afatshkurtra, duke siguruar një kthim më të lartë nga kursimet. Gjithashtu, shumë individë preferojnë t’i depozitojnë paratë e tyre për një afat të gjatë për të arritur qëllime specifike financiare si kursimi për një shtëpi, arsimim apo pension.
Nga ana tjetër, depozitat me afat 6 muaj vijojnë prirjen rënëse, teksa vlera e tyre ka shkuar nga 9.6 miliardë në 9.4 miliardë lekë. Ndërsa depozitat me afat një muaj vazhdojnë të mbeten më pak tërheqëse për qytetarët, kjo për arsye se interesi llogaritet për një periudhë të shkurtër, e për rrjedhojë kthimi i investimit është mjaft i ulët krahasuar me opsionet afatgjata. Maturimi më i shpejtë i depozitës kërkon rinovime shumë të shpeshta ose vendime riinvestimi.
Po për bizneset, si shfaqet ecuria e depozitave?
Depozitat me afat njëvjeçar vazhdojnë të ruajnë shumicën e të ardhurave të bizneseve, duke i siguruar atyre një menaxhim më të mirë të likuiditetit. Megjithatë, vlera e tyre ka pësuar një rënie drastike në fund të muajit korrik, duke zbritur nga 5.7 miliardë në 5.3 miliardë lekë. Ndërsa vlera e lekëve në depozitat pa afat ka shënuar rritjen më të madhe./Tema