Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara në Shqipëri, 28 janë shuar plotësisht, ndërsa vetëm 3 vatra mbeten ende aktive.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në rrjetet sociale ka njoftuar se aktualisht vatra në Arrën të Bashkisë së Kukësit, ajo në Fushë Lugje të Bashkisë së Mirditës dhe vatra në Buçaj të Shkodrës janë të izoluara pa rrezik përhapjeje dhe sipas tij po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
"Pas shumë javësh betejë me zjarret që përfshinë shumë zona të territorit të vendit tonë, sot situata paraqitet më e qetë. Gjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara, 28 janë shuar plotësisht, ndërsa vetëm 3 vatra mbeten ende aktive", tha Vengu.
Kujtojmë se në operacionet e fundit për shuarjen e zjarreve në vend, janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse, forca ushtarake, efektivë nga polica, punonjës nga struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, punonjës nga administrata e zonave të mbrojtura, shërbimi pyjor dhe vullnetarë.
Gjithashtu pjesë e operacioneve ishin edhe avionë të vendeve të tjera si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Ministri Vengu ka theksuar se përkushtimi i përbashkët i strukturave operacionale, zjarrfikësve, efektivëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Policisë, shërbimit pyjor dhe vullnetarëve ka qenë vendimtar në minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve./aa