Erling Haaland, i cili shënoi një nga dy golat e Manchester City në fitoren 2-0 kundër Chelsea, ka zbuluar mesazhin e rëndësishëm që Pep Guardiola i transmeton atij dhe që e ndihmon të punojë për të qenë një lojtar më i mirë, pavarësisht se ka shënuar 64 gola në 67 ndeshje të Premier League.
Me golin e tij të fundit, sulmuesi norvegjez ka shënuar në të gjitha ndeshjet hapëse, që ka luajtur me Manchester City, që kur nënshkroi me të në vitin 2022 nga Borussia Dortmund.
Pavarësisht shifrave të tij mbresëlënëse, Haaland, i cili ka bërë tashmë 100 paraqitje për City, ndihet i pakënaqur me veten dhe i drejtohet Guardiolës për t’u rritur ende.
“Unë dua të përfshihem më shumë, kjo është ajo që dëshiron edhe Pep. Dua të marr dhe jap më shumë asiste, të bëhem një lojtar më i mirë”, – shpjegoi sulmuesi i Manchester City në “Sky Sports”.
Haaland shpjegoi pak më shumë për mesazhin që Guardiola i transmeton vazhdimisht: “Lojtarët më të mirë janë më të mirët në gjërat më të lehta. Prekja me të djathtën dhe pasimi me të majtën, kjo është gjëja e rëndësishme. Pep ma thotë këtë gjatë gjithë kohës”.
Golashënuesi i Manchester City, i cili theksoi se “ajo që Pep dëshiron” është që lojtarët të zënë pozicione të ndryshme në fushë për të ndihmuar në krijimin e lojës, tha me shaka se “Guardiolës nuk do t’i pëlqejë që e zbulova këtë”./Tema