Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë ka ushtruar mbi 12 mijë kontrolle gjatë 7 muajve të fundit, tek subjektet që paraqesin mundësi abuzimi me energjinë elektrike.

Sipas të dhënave nga Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve (DKRH), nga këto kontrolle janë konstatuar vjedhje të energjisë elektrike në 32 subjekte, të cilat janë proceduar në polici për shkelje të ligjit të energjisë.

Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara në mbarë vendin, 42 subjekte nuk tarifoheshin në bazë të aktivitetit që ushtronin, bazuar në rregulloren e ERE. Nga inspektimet në terren u identifikuan rreth 15 milionë kilovat të pamatura të cilat iu faturuan abuzuesve.

Kontrollet e OSSH-së kanë për qëllim disiplinimin e të gjithë abonentëve, duke respektuar ligjin, me synim trajtimin e barabartë dhe ndërgjegjësimin e klientëve se vjedhja e energjisë mund të jetë rrugë e shkurtër, por e gabuar dhe me pasoja ligjore, ku askush nuk do të tolerohet.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u bën apel klientëve/subjekteve të mos bien pre e skemave mashtruese të ndërhyrjes në matës apo furnizimit me linjë të dytë jashtë matjes, pasi do të përballen me forcën e ligjit pa asnjë kompromis./ata