Qindra qytetarë marshuan pasditen e sotme nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar drejtësi për Egli Progën, 42-vjeçarin që humbi jetën 9 ditë më parë në Pogradec.

Qytetarët mbanin në duar foto të tij dhe pankarta me mbishkrime:  “A fshihet e vërteta?”, “Kërkojmë drejtësi”, “Kundër gangove me pushtet” etj.

Në tubimin e drejtuar nga aktivisti Adriatik Lapaj, ishin të pranishëm edhe motra e Egli Progës si dhe familjarë të tij.

“Dua ta bëj drejtësinë me letra jo thjesht me fjalë. Egli u vra. Nuk do lejoj që Egli të kthehet në statistikë. Faleminderit që më përkrahni. Ju lutem ngrini zërin për çdo padrejtësi tuajën. Nuk dua të politizohet asgjë. Sepse kisha frikë se mos merrte thirrja ime ngjyra. Sot më ndodhi mua, nesër mund t’ju ndodh juve që jeni në shesh. Nuk janë të gjithë horra si vrasësit e vëllait tim. Përfundimisht ne si familje kërkojmë rikthimin me masë sigurie të katër bashkëpunëtorëve të vrasjes”, u shpreh motra e viktimës.

Lapaj u shpreh se raste të tilla e kanë kthyer Shqipërinë në një vend të pasigurt, ku të gjithë duan të largohen./ata