Svetlana Timofeeva, rusja e arrestuar në vendin tonë pasi u kap duke hyrë në uzinën e Gramshit, ka kërkuar azil politik në Shqipëri. 33-vjeçarja po mbahet në burg në vendin tonë për sulmin ndaj ushtarëve në uzinën e Gramshit dhe me dyshimin se do merrte informacione sekrete.

Por, nga ana tjetër Rusia ka kërkuar ekstradimin e Timofeevës, pasi kërkohet në vendin e saj për spiunazh. 33-vjeçarja ka refuzuar ekstradimin në Rusi, ndërsa mësohet se tashmë ka kërkuar azil politik në vendin tonë, me argumentin se nëse kryhet procesi i ekstradimit do t’i rrezikohet jeta në Rusi.

 

Kërkesa i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit për Migracionin dhe Azilin si dhe Policisë së Kufirit në Tiranë. Në letrën dërguar këtyre institucioneve,  33-vjeçarja shkruan se ajo ka dalë hapur kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe për këtë arsye mund t’i rrezikohet jeta. Letra mban firmën e avokatit të saj mbrojtës, Isuf Shehu.

 

Në këtë kërkesë për azil politik, Timofeeva barazon misionin e medias me atë të blogerimit dhe sjell në vëmendje një rast të dënimit të një gazetareje ruse në vitin 2020. Ajo thotë se gazetarja Svetlana Prokopyeva u dënua nga një gjykatë ushtarake pasi kritikoi Rusinë në një transmetim në radio. 33-vjeçarja thotë se nëse Shqipëria pranon kërkesën e ekstradimit në Rusi edhe ajo do t’i nënshtrohet trajtimit çnjerëzor dhe torturues.

 

Svetlana Timofeeva u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 me bashkëkombësin e saj Mikhail Zorin dhe ukrainasin  Fedir Alpatov pranë ish-uzinës së armëve në Ballsh teksa kur i pikasën nga dy ushtarakë i sulmuan me spraj kimik. Në Shqipëri, të tre të huajt  akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Dhënie e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

 

Rusia kërkon ekstradimin e 33-vjeçares pasi atje është e akuzuar për “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, por deri më tani ajo ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi.