Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe strukturat e saj të specializuara të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe hetimit të krimeve vazhdojnë të jenë të përqendruara në vendosjen përpara drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar.
Duke rritur ndjeshëm shkëmbimet e informacionit dhe përdorimin e të gjithë formave dhe metodave të punës policore është mundësuar kapja dhe sjellja në Shqipëri, me qëllim vënien përpara drejtësisë, e shumë personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2024 janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë 80 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga të cilët 74 shtetas shqiptarë dhe 6 shtetas të huaj.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë, janë ekstraduar dhe transferuar drejt vendit tonë 58 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga të cilët 53 shtetas shqiptarë dhe 5 shtetas të huaj.
Sjellja në Shqipëri dhe vendosja në dispozicion të drejtësisë e personave të shumëkërkuar nga Prokuroria e Posaçme ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë muajit gusht 2024.
Falë punës profesionale, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe agjenci të ndryshme ligjzbatuese, është mundësuar arrestimi i personave të hetuar dhe të dyshuar për disa nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, për të cilët Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë vendimet për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe “Interpol Tirana” vijon me intensitet shpalljen në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informacionit me shtetet dhe organizatat partnere për personat e kërkuar nga drejtësia, krahas punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale.
Mesazhi i Policisë së Shtetit është i qartë: “Nuk ka krim, pa ndëshkim”./ata