Puna e pa deklaruar apo siç njihet ndryshe në zhargon “puna në të zezë” vijon të jetë një problematikë në vendin tonë e cila është në fokus të administratës tatimore për të mundësuar që çdo i punësuar të gëzojë të drejtat e tij pa patur nevojë të “fshihet”.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nxjerrin në pah se nga Qershori 2023 në Qershor 2024, rezultojnë afro 13.105 punonjës të deklaruar më shumë, të cilët paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore për efekt pensioni, gëzojnë të drejtat që u jep Kodi i Punës, siç janë njohja e viteve të punës për efekt pensioni, përfitime financiare në rast paaftësie të përkohshme apo barrëlindjeje  dhe janë më të mbrojtur ligjërisht në rastet e shkarkimit me pa të drejtë nga vendi i punës.

Kjo ka sjellë edhe një perfomancë më pozitive në buxhetin e shtetit sa i takon të ardhurave të mbledhura nga kontributet, zë në të cilin ka dhënë ndikim edhe reforma për rritjen e pagave në sektorin publik të ndërmarrë nga qeveria.

Sipas Tatimeve, në qershor 2024 rezultojnë 708.2 milionë lekë apo 7.1 milionë euro më shumë se Qershori 2023, të ardhura të mbledhura nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në vend.

Nga ana tjetër reforma e pagave në administratë, ndjekur dhe nga sektori privat ka prodhuar dhe një rritje të pagës mesatare në vend. Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga Qershori 2023 në Qershor 2024, paga mesatare bruto për punonjësit në vend është rritur me 3.727 lekë apo rreth 37 euro.

Por duke qenë se në të dhëna nuk është llogaritur rritja e pagave e bërë gjatë këtij viti e cila hyri në fuqi në Korrik, rritja duhet të jetë edhe më e lartë dhe po ashtu të ardhurat tatimore nga zëri i kontributeve do të kenë perfomancë edhe më pozitive./Tema