Një i burgosur palestinez i cili u torturua në burgun Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar tha se personat që e morën në pyetje u përpoqën ta mbytnin me ujë tualeti.
Bordi i të Burgosurve Palestinezë dhe Shoqata e të Burgosurve Palestinez, të dyja të lidhura me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), publikuan një raport të përbashkët mbi torturën ndaj një të burgosuri palestinez të identifikuar vetëm me inicialet e tij, G.V., në burgun Ofer në Ramallah.
Sipas raportit, i burgosuri palestinez G.V. tha: “Gjatë marrjes në pyetje, hetuesit tentuan të më mbytnin me ujë tualeti. Edhe sot e kësaj dite, ne jemi subjekt i torturave, poshtërimeve dhe rrahjeve”.
I burgosuri shtoi se ai u ndalua nga ushtarët izraelitë në lagjen Hamad të qytezës Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës më 2 mars. Atij iu hoqën rrobat, duart i ishin lidhur pas shpine, i kishin lidhur sytë dhe e futën në një kamion dhe e rrahën.
“Për njëqind ditë na rrahën edhe për ndonjë lëvizje të vogël dhe na vunë prangat, na lidhën sytë gjatë gjithë kohës”, shtoi i burgosuri.
I burgosuri që ka rrëfyer të gjitha këto incidente ende mbahet në burgun e Oferit, ku të burgosurit u nënshtrohen torturave, poshtërimeve, ngacmimeve dhe rrahjeve.
“Operacion pa anestezi, amputim i gjymtyrëve të të burgosurve si rezultat i lidhjeve të vazhdueshme, përdhunime dhe sulme seksuale në nivele të ndryshme, uri dhe krime të tjera sistematike vazhdojnë të kryhen”, shtoi ai.
Raporti theksoi se Izraeli ka mbajtur robër mijëra palestinezë nga Rripi i Gazës dhe fati i tyre ende nuk dihet.
Izraeli, duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, ka vazhduar ofensivën e tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.
Sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë më shumë se 40.170 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur mbi 92.800, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Më shumë se 10 muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka urdhëruar atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa