Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni reagoi sot në lidhje me rrugën e Dukagjinit, ku një ditë më parë u zhvillua një protestë nga qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Angoni bëri përgjegjës kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, për moslëvrim të fondeve për rrugën e Dukagjinit.
“Sipas deklaratës së bashkisë Shkodër në të cilën citohen 3 (tre) vendime të Këshillit Bashkiak për të cilat Prefekti është bërë pengesë sqarohet opinioni publik për të vërtetën: Vendimi i Këshillit Bashkiak Nr.46 i datës 27.09.2022, ndër të tjera ka pasur të bëjë me fondet e kushtëzuara, një transfertë e buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile me destinacion të vetëm “dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara”. Pikërisht këtë fond për t’i ardhur në ndihmë 23 familjeve të dëmtuara Prefekti ka lejuar procedim”, sqaroi Angoni.
“Edhe Vendimi i Këshillit Bashkiak Nr. 55 i datës 07.11.2022 ka pasur të bëjë me fondet e kushtëzuara, një transfertë e buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile me destinacion të vetëm “dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara”. Një pjesë të këtij fondi si ndihmë për 7 familjeve të dëmtuara Prefekti ka lejuar procedim”, theksoi Angoni.
“Sqarohet se fondet e kushtëzuara përdoren vetëm sipas destinacionit për të cilën transferohet, dhe këtë qeverisja vendore duhet ta dijë. Ndërkohë Vendimi i Këshillit Bashkiak Nr.50 i datës 27.09.2022 ka pasur si objekt një pjesë të fondit financiar me fokus shërbime, mirëmbajtje emergjente të segmentit “Ura Mesit Prekal Kir-Mali i Shoshit-Breglumi-Ndërlòysaj-Thethë” dhe jo Investime”, u shpreh Angoni.
Po ashtu, Angoni sqaroi për opinionin publik se, në transfertën e vitit 2022, njësive të vetëqeverisjes vendore u janë akorduar fonde për rrugët rurale të transferuara nga qarku në bashki.
”Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të shtojnë fonde nga të ardhurat e tyre për të rritur cilësinë e shërbimit në rrugët rurale. Në vitin 2022 bashkisë Shkodër i janë akorduar nga buxheti i shtetit si transferte sektoriale e pakushtëzuar vetëm për këto rrugë (të transferuara nga Qarku) 20 milionë lekë. Rrugët rurale të transferuar nga Qarku sipas bashkisë Shkodër janë gjithsej 123 km nga te cilat pjesa dërrmuese rreth 72 km është rruga e Dukagjinit, rruga e Shllakut dhe rrugë të asfaltuara. Nga ky buxhet për rrugën e Dukagjinit duhet të ishin akorduar të paktën 15 milionë lekë. Sipas raportit për PBA 2023 të bashkisë Shkodër, për rrugën e Dukagjinit janë shpenzuar (të paktën me letra) 3,7 mln Lekë. (Buxheti i bashkisë 2023 Programi 04520: Rrjeti rrugor rural, faqe 91). Ku kanë shkuar 12 milionë lekë? Kaq prioritet e ka Bashkia Shkodër rrugën e Dukagjinit sa jo vetëm që nuk ka shtuar fonde të veta për mirëmbajtjen e saj, por edhe transfertën specifike të qeverisë për mirëmbajtjen e rrugës së Dukagjinit e ka devijuar në destinacione të tjera. Ndërkohë që nuk ka përdorur fondin e rrugëve rurale për këtë qëllim publikon shkresa pa lidhje në të cilat kërkon fondin e emergjencave civile për të financuare rrugë, kur për të të gjithë është e njohur se emergjencat civile kanë tërësisht natyrë tjetër jo mirëmbajtje e ndërtim rrugëve”, shkroi Angoni.
Një ditë më parë edhe deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Benet Beci u bëri thirrje autoriteteve vendore të bashkisë Shkodër, si institucioni përgjegjës për rrugën, të mos fshihen pas shkresave, por të marrin menjëherë masa për mirëmbajtjen e rrugës para sezonit pranveror.
Një ditë më parë kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia mbështeti protestën e banorëve të Dukagjinit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spahia theksoi se, “protesta e banorëve të Dukagjinit për rrugën është një e drejtë legjitime, e cila ka mbështetjen time të plotë që ditën e parë dhe të cilën i inkurajoj ta çojnë deri në fund dhe të mos tërhiqen për asnjë rrethanë”.
Spahia akuzoi deputetin e PS-së Benet Beci se, ka anuluar investimin e rrugës së Dukagjinit si hakmarrje politike.
“Duke mos dashur në asnjë moment ta politizoj këtë reagim model që komuniteti Dukagjinas ka pasur në të dy protestat, dua të theksoj mbështetjen time absolute dhe të bashkisë Shkodër për ndërtimin e rrugës që lidh Shalë, Shosh dhe Pult me Shkodrën. Ajo që dua të bëj të qartë për opinionin publik dhe banorët e Dukagjinit në veçanti, është fakti se dokumentet janë zyrtare, kanë data të protokolluara dhe me to nuk mund të bësh lojëra fjalësh”, tha Spahia.
Prandaj, shtoi ai, “propagandën deputeti Benet Beci ta bëjë atje ku duhet, në parlament dhe tek kryeministri i tij Edi Rama që kanë anuluar investimin e kësaj rruge dhe bllokojnë politikisht në mënyrën më të shëmtuar çdo investim që ka të bëjë me Shkodrën. Edi Rama dhe Benet Beci si ish-drejtor i FSHZH-së, kanë detyrimin sot të bëjnë publike arsyet përse e kanë anuluar financimin e kësaj rruge në vitin 2013 edhe pse kishte një projekt dhe fond të parashikuar, dhe prej 10 vitesh që qeverisin vendin, nuk kanë kryer këtë investim kur në zyrat e tyre është gati projekti për këtë rrugë”.
“Edi Rama dhe Beci i tij e dinë fare mirë se në vitin 2013 si për rrugën e Thethit dhe të Vermoshit, kishte projekt edhe për vazhdimin e rrugës së Dukagjinit nga Prekali ku ishte mbyllur faza e parë e investimit, por e anuluan si hakmarrje politike krahinore dhe sepse ishte gjithçka e realizuar nga qeverisja e PD deri në vitin 2013. Bashkia Shkodër ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për mirëmbajtjen e kësaj rruge edhe pse vazhdimisht përballet me pengesat e qëllimshme për arsye politike nga përfaqësuesit e Edi Ramës dhe në Shkodër”, tha Spahia./ATSH