Gjatë seancës së sotme plenare deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka nga foltorja e Kuvendit sulmoi ashpër maxhorancën, duke thënë se nuk mund të miratohen 17 vendime qeverie brenda 1 dite.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se hallet e kësaj qeverie janë bashkëpunimi me krimin dhe se afera e inceneratorëve i ka shpërfytyruar kjo qeveri.
Sipas tij, legalizimi i kanabisit mjekësor nuk mund të kalojë kështu sepse janë akte armiqësore që bëhen në kurriz të kësaj shoqërie, thotë Noka.
“Të dashur kanabistë, të nderuar kolegë deputetë, të nderuar qytetarë. Organizata kriminale e quajtur plehrat nuk ka pasur prej vitesh në axhendën e saj as përmirësimin e jetës së tyre dhe as zhvillimin e vendit.
Ka pasur vetëm një axhendë që t’i vjedhin dhe rrjepin shqiptarët, të fuqizojnë mafian për të vjedhur votat. 17 vendime qeverie brenda 1 dite sepse kreu i organizatës kriminale “plehrat” të mos humbiste asnjë minutë kohë për të vjedhur shqiptarët. Pas aferës së plehrave ka një kryemafioz dhe një mafie që quhet qeveri. Vendosët me urgjencë të madhe për t’i dhënë një mandat Gjinushit, athu se shqiptarë nuk kanë asnjë hall tjetër dhe mezi presin ditën që të zgjidhet Gjinushi.
Ju ju mjafton që të vidhni ju dhe klientët tuaj dhe për ju shqiptarët nuk ekzistojnë. Kanabizimi i Shqipërisë nuk mund të kalojë kështu sepse janë akte armiqësore që i bëni në kurriz të kësaj shoqërie për sot dhe për ne. Edhe inceneratorët i kanë bërë për t’i pasur me breza. O të dashur kanabistë, a janë qeveri këto apo organizatë kriminale”, tha Noka.