Qeveria synon përforcimin e kontrollit në zonat kufitare. Në projektligjin “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, të hedhur për konsultim publik parashikohet përdorimi i teknologjisë për të identifikuar personat.

“Në pikat e kalimit kufitar, Policia Kufitare dhe e Migracionit është e autorizuar të fotografojë dhe regjistrojë imazhe video-fotografike dhe të përdorë pajisje të tjera automatike, për aq sa ato janë të nevojshme për të verifikuar identitetin e personave dhe për të parandaluar e zbuluar veprat penale, si dhe për të kapur autorët e tyre”, thuhet në draft.

Sipas draftit ligjor, që pritet t’i nënshtrohet diskutimit parlamentar me nisjen e sezonit të ri politik, pajisjet instalohen në vende të dukshme dhe publiku informohet për praninë e tyre

“Pajisjet instalohen në vende të dukshme dhe publiku informohet për praninë e tyre. Policia Kufitare dhe e Migracionit është e autorizuar të zbatojë sisteme të automatizuara të verifikimit kufitar, ku, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve elektronike, mblidhen të dhëna për identifikim dhe për qëllim të verifikimit kufitar të automatizuar”, shkruhet në projektligj.

Gjithashtu në projekt-ligj parashikohet edhe krijimi i Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, një strukturë e re që synon shkëmbimin në kohë reale të informacionit mes autoriteteve vendase e atyre ndërkombëtare, por edhe më shumë se aq.

“Qendra Kombëtare e Koordinimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, është strukturë ndërinstitucionale e cila funksionon pa ndërprerje njëzet e katër orë në shtatë ditë të javës, dhe ka përgjegjësi: të hartojë dhe administrojë raportet e situatës kombëtare të sigurisë kufitare dhe ato rajonale dhe evropiane të sigurisë kufitare me ndikim të mundshëm në situatën kombëtare të sigurisë”, theksohet në draft.

Në projekt-ligj përcaktohet edhe kufiri i zonës së verifikimit kufitar, 2 km në brendësi të territorit, ndërsa rritet siguria në këto zona duke kufizuar ndërtimin apo zhvillimin e aktiviteteve private. Efekti financiar për hartimin dhe miratimin e ligjit do të jetë vetëm kosto administrative dhe do të përballohet nga buxheti  “Për policinë e shtetit"./Shqiptarja