Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu priti në një takim avokaten Eva Buzo, e cila përshkoi pak ditë më parë me not 92 km nga brigjet e Italisë, deri në Vlorë.

“Mbresëlënëse biseda me Eva Buzon, një shembull i jashtëzakonshëm guximi dhe vendosmërie. Eva na tregoi se çdo kufi mund të tejkalohet kur beson në vetvete”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Manastirliu theksoi se, “ky sukses për Evën nuk ishte vetëm një ëndërr e realizuar, e një amanet i përmbushur, por edhe një burim frymëzimi për të rinjtë tanë që sportin ta bëjnë pjesë të jetës dhe arritjeve të tyre personale”.

Eva Buzo përfundoi më 19 gusht të këtij viti udhëtimin e saj me not prej 92 km, që zgjati 34 orë, nga brigjet e Lecces (San Focca), deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur tokën shqiptare në afërsi të Kepit të Gjuhëzës./ata