Zona turistike e Gjirit të Lalzit dhe fshatrat Rrotull, Fushë Draç dhe Shënpjetër do të furnizohen 24 orë me ujë, pas inevstimit që parashikohet të kryehet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve. Ky dikaster ka hapur tenderin me fond limit prej rreth 198.5 mln lekë për rikonstruksion e rrjetit ekzistues në këtë zonë.
Në dokumentet e tenderit specifikohet se aktualisht ky rrjet është tejet i amortizuar, teksa pas ndërhyrjes synohet edhe përmirësimi i cilësisë së ujit, si dhe ulja e humbjeve në rrjet, duke parashikuar disa matësa zonalë si dhe instalimin e kasetave për matësave të ujit për shtëpitë private.
Në zonën ku shtrihet projekti ka disa komplekse turistike, me vila 1-2 kate, si dhe banesa private 1-3 kate në zonën rurale përreth, ndërsa popullsia llogaritet në 6,000 banorë. Tenderi për kompanitë e interesuar do të qëndrojë I hapur deri në datën 11 shtator, ndërkohë që afati i zbatimit të punimeve do të jetë 12 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Ky nuk është tenderi i parë i AKUK për investimet në rrjete ujësjellësisht dhe kanalizime në zonat turstike të vendit, pasi pak muaj më parë në fokus ishte edhe zona e Dhërmiut dhe Jalës./Scan