Shëngjini dhe Lezha gjithnjë e më shumë po kthehen në një destinacion turistik gjithëpërfshirës për të huajt dhe vendasit.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, në një intervistë televizive, tha se interesi për Lezhën dhe Shëngjinin është konkretizuar dhe me investime në pasuri të paluajtshme. Sipas tij, janë blerë 138 apartamente nga polakë, ndërsa 38 nga gjermanë. Ndreu nënvizoi se janë 1200 apartamente të blear nga të huajt në vitin e fundit.

“Sezoni ka filluar, por nuk është në pikun e vet, kuptohet. Le ta themi që 15-ditëshi i parë i Korrikut nuk ka qenë asnjëherë piku  i sezonit në Lezhë apo Shëngjin. Situata është në përmirësim të përditshëm. Disa njësi akomoduese që kanë më shumë organizim dhe më shumë shërbim, janë pothuajse plot, ndërsa ka të tjera që nuk janë në nivelin e tyre. Gjithsesi e përgjithshmja në Lezhë është pozitive, duke pasur parasysh që jo vetëm turizmi bregdetar është ai që e mat këtë, por është edhe turizmi në objektet historike, religjioze, është edhe ajo që në Lezhë e quajmë “qershia mbi tortë”, që është turizmi kulinar. Lezha është e frekuentuar dhe vijon të frekuentohet”, tha Ndreu.

Ndreu tha se ka shumë familje të huaja, si gjermane, franceze apo polake që kanë blerë apartamente në zonën e Shëngjinit.

“Duhet thënë se vetëm në kuptimin e blerjes së apartamenteve janë 400 huaj që kanë blerë apartamente në Shëngjin dhe 800 shqiptarë të Kosovës. Janë në rritje të ndjeshme. Ka shtetas holandezë, ka që kanë ardhur anglezë, ka gjermanë. Janë 38 familje gjermane që kanë blerë në Shëngjin. 188 familje polake kanë blerë apartamente, Janë francezë që kanë blerë në Shëngjin. Edhe në frekuentimin e këtyre objekteve ka një rritje. Kemi restorante që kalon 100 mijë turistë në vit që darkojnë apo drekojnë aty. Laguna e Kune Vainit, por Vaini sidomos është një histori shumë e dashur për shumë e shumë të huaj, që shkojnë pasi rruga është e kuruar, gastronomia në nivele shumë të larta. Laguna është gjë e bukur për ta parë dhe të gjitha bashkë e bëjnë Lezhën shumë të frekuentueshme dhe frekuentimi po rritet”, tha Ndreu.

Ai u shpreh i bindur se fundjava do ketë edhe më shumë vizitorë, kjo edhe falë edhe infrastrukturës së përmirësuar, duke pasur parasysh segmentin rrugor Thumanë-Kashar.

Ndreu tha se investimet në infrastrukturë vijojnë. “Po shtrohet rruga mes Velipojës dhe Shëngjinit, por që nuk përfundon këtë vit. Për punë javësh përfundon një rrugë dalëse alternative që lidh Kunën me Shëngjinin, tek zona e hidrovori. Do të bëhet bajpasi i Shëngjinit, që nga BERZH është dhënë fondi, por që varet nga historia e rrugës Velipojë-Shëngjin. Duhet të hapet kantieri i punës për aksin Millot-Balldren”, tha Ndreu.

Ndreu tha se Lezha mbetet qyteti më i pastër dhe me shërbimin më të mirë. “E them pa modesti dhe e kam të konfirmuar këtë që po them. Kemi qenë dhe sezonet e shkuara, por vijojmë të ofrojmë cilësi dhe pastërti”, u shpreh Ndreu./ata