Bankat kanë rritur financimin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë, por rritja më e lartë vihet re në sektorin e tregtisë. Kredia për këtë sektor u rrit me 13%, dyfishi i normës së rritjes të vërejtur në pjesën e dytë të vitit 2023.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, brenda sektorit të tregtisë vërehet një kontribut i ngjashëm me vitin e kaluar të degës së turizmit dhe një kontribut i rritur nga dega e transportit.
Ndërkohë, një ndikim pozitiv në rritjen e portofolit të kredisë për biznese ka dhënë edhe sektori i industrisë, ritmet e rritjes së të cilit prej 10% rikthyen në terren pozitiv kontributin e këtij sektori. Brenda këtij sektori është dega e industrisë përpunuese, e cila fitoi më shumë financim nga bankat.
Po ashtu, financimi i bankave për bizneset e sektorit të ndërtimit ka qenë pozitiv dhe i qëndrueshëm. Kredia për këtë sektor u rrit me 6%, një normë kjo e ngjashme me mesataren e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023. Kreditimi për sektorin e bujqësisë shfaqi rritje dyshifrore prej 12%.
Megjithëse në rritje, kontributi i tij ndaj rritjes së kredisë për biznese është pothuajse i papërfillshëm. Banka e Shqipërisë në analizën e saj vëren se, këto zhvillime në portofolin e kredisë për biznese janë përgjithësisht në linjë me aktivitetin ekonomik në vend./Scan