Financimi i bizneseve nga bankat është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke reflektuar gatishmërinë më të lartë të bankave për financimin e kërkesës së shtuar të bizneseve për kreditim. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe bankat tregtare kanë kredituar kryesisht biznesin e madh dhe sektorin e tregtisë.
Kredia për biznese u rrit mesatarisht me 12%, duke shënuar një rekord gjatë dekadës së fundit. Edhe gjatë gjysmës së parë të këtij viti ka vijuar zhvendosja drejt financimit në lekë dhe dominon rritja e kredisë për financimin e investimeve.
Kredia në lekë për biznese vijoi rritjen me norma dyshifrore prej 17.4%, ndërkohë që zhvillimet e tremujorit të dytë treguan rigjallërimin e kredisë në valutë. Kjo e fundit shënoi një normë të përmirësuar rritjeje duke kulmuar në 12% në muajin qershor. Fenomeni i zhvendosjes së portofolit të kredisë nga euro në lekë ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe, por në nivele shumë më të ulëta se ai i vërejtur gjatë vitit 2023.
Sipas madhësisë së bizneseve, ka qenë kredia për biznesin e madh ajo që ka ndikuar në përshpejtimin e normave të rritjes. Kredia për këtë segment, pasi shfaqi stanjacion në dy vitet e fundit, ka treguar një rritje të forte të financimit nga bankat në gjashtë muajt e parë të vitit.
Ajo shënoi një nga nivelet më të larta të rritjes prej 18%, nga 2% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023. Sipas Bankës së Shqipërisë, zgjerimi vjetor i kredisë së biznesit të madh reflekton, ndër të tjera, edhe financimin e projekteve infrastrukturore të qeverisë.
Paralelisht, portofoli i kredisë për biznesin e vogël dhe të mesëm u rrit me 6% gjatë pjesës së parë të viti 2024, normë kjo lehtësisht më poshtë se rritja prej 7% e shënuar në vitin 2023. Brenda kësaj kategorie duket se ishin bizneset e mesme ato që kanë shfaqur ngadalësimin më të ndejshëm të kredisë për financimin e nevojave të tyre./Scan