Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës janë vrarë 27 palestinezë.

Zëdhënësi i Njësisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal në një deklaratë me shkrim dha informacion rreth sulmeve të kryera nga Izraeli në pjesë të ndryshme të Gazës që nga mëngjesi i djeshëm.

Pasi njoftoi se Izraeli kreu sulm ajror në qytetin Beit Lahia në veri të Gazës, Basal tha se në sulm u shemb plotësisht shtëpia e familjes palestineze Hamhuda.

Basal shtoi se si pasojë e sulmit humbën jetën 11 palestinezë, përfshirë në mesin e tyre fëmijë dhe gra. Ai tha se Izraeli sulmoi gjithashtu shtëpinë e familjes Qasim në zonën Al-Shaima në Beit Lahia dhe se shumë palestinezë u plagosën në sulm.

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë e familjes palestineze Salman në zonën Tel Al-Zaatar të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës ndërsa në sulm humbi jetën një person dhe shumë të tjerë u plagosën. Një palestinez ka humbur jetën në sulmin në lagjen Al-Zaytoun të qytetit të Gazës, në veri të rajonit.

Po ashtu 6 palestinezë humbën jetën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Ed-Debki në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në pjesët qendrore të Gazës.

Gjithashtu njoftohet se 5 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmin ajror në shtëpinë e familjes Abu Shabab në qytetin Bani Suheila, që ndodhet në lindje të Khan Younis në jug të Gazës.

Sipas informacioneve të marra nga spitali "Nasser" në Khan Younis, 3 palestinezë duke përfshirë një fëmijë, u vranë në sulmet e forcave izraelite që shënjestruan palestinezët në qytetin Abasan al-Kabira. Të plagosurit janë dërguar në spitalet e Rripit të Gazës.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 janë vrarë 40.265 palestinezë, përfshirë të paktën 16.480 fëmijë dhe 10.980 gra ndërsa janë plagosur 93.144 persona të tjerë. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata./aa