Gjermania e ka përshkruar sulmin ajror vdekjeprurës në “zonën e sigurt humanitare” të shpallur në Gazën jugore si “të tmerrshëm”, duke theksuar se zbatimi i një armëpushimi është “më urgjent se kurrë”.

“Raportet për shumë vdekje pas sulmit ajror izraelit në Al-Mawasi janë të tmerrshme. Ushtria izraelite është e detyruar të mbrojë sa më mirë popullsinë civile”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

Ky incident, theksoi ministria gjermane, tregon se nuk ka “zgjidhje ushtarake” për Gazën.

“Ne kemi nevojë për një armëpushim humanitar dhe lirimin e pengjeve më urgjentisht se kurrë, në mënyrë që vdekja të përfundojë”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Duke theksuar se “askund nuk është sigurt” në enklavë, ministria tha se, “Hapësira humanitare po zvogëlohet vazhdimisht. Njoftimet për evakuim zbatohen në 86 për qind të zonës. Infrastruktura humanitare dhe magazinat gjithashtu duhet të lihen pas”.

Ai tha se përgatitjet e nevojshme për dimër nuk mund të bëhen në këto kushte.

Ministria gjithashtu akuzoi Hamasin për përdorimin e “civilëve si mburoja njerëzore”, duke e quajtur atë “të neveritshme dhe një krim”.

Të paktën 40 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në sulmin ajror dje herët në një kamp tende në zonën al-Mawasi pranë Khan Younisit, të cilën Izraeli e përcaktoi si një "zonë të sigurt humanitare" për civilët e zhvendosur në Gaza.

Izraeli ka vrarë të paktën 40 mijë palestinezë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi tetorin e kaluar. Bombardimi e ka kthyer territorin në rrënoja dhe ka çuar në vuajtje të rënda njerëzore. Bisedimet për t'i dhënë fund konfliktit vazhdojnë përmes ndërmjetësve, por pa rezultat./aa