Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta prezantoi sot programin e PL “Shqipëria fuqi eksportuese”.
Në një konferencë për mediet, Meta renditi 16 angazhimet e PL për rritjen e eksporteve në masën 50 % të PPB.
Ai premtoi mbështetje të fuqishme për biznesin prodhues dhe eksportues, kthimin e strukturës ekonomike në prodhuese, përmirësimin e performancës eksportuese të kompanive, me anë të rritjes së numrit të produkteve të eksportit që kanë një nivel më të lartë të vlerës së shtuar, përmes rritjes së numrit të kompanive eksportuese dhe përmes rritjes së numrit të tregjeve të eksportit.
“Do të reformojmë sistemin aktual për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nëpërmjet krijimit të një Strategjie për tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta 2025-2035”, tha Meta.
Meta u shpreh se, tarifa doganore do të rishikohet, duke iu përshtatur nevojave për eksport-import të ekonomisë dhe të shtetit, dhe duke favorizuar eksportet.
“Ulje e barrës administrative, që sot është katastrofike. Reduktim ekstrem i barrierave ligjore, që janë shtuar në mënyrë të tejskajshme vetëm për qëllime korrupsioni. Abrogim i ligjeve të panevojshme, i akteve nënligjore, rregulloreve dhe procedurave që janë bërë me qëllim që t’i nxijnë jetën biznesit, dhe t’i rrisin artificialisht shpenzimet”, shtoi Meta.
Meta premtoi mbështetje për sektorin privat konkurrues, në mënyrë të veçantë mbështetje për inovacionin; Në mënyrë të veçantë mbështetje për kompanitë që krijojnë vende pune produktive dhe paga të larta.
“Do të aplikojmë taksën e sheshtë 10 %, nga 15 % që është sot, dhe do të rimbursojmë automatikisht TVSH, për të gjitha kompanitë eksportuese”, tha Meta.
Për të tërhequr kompanitë ndërkombëtare, që kanë një fitim neto të lartë mbi 50 milionë euro, Meta tha se “norma efektive e tatimit do të jetë 5 %. Dhe kjo do të bëhet në mënyrën më transparente, dhe jo në mënyrë klienteliste, siç bëhet sot”.
Meta nënvizoi se, “mbështetja për inovacionin do të jetë prioritet shumë i lartë. Nëpërmjet shkencës së aplikuar dhe zhvillimit të kërkimit, ne do të mbështesim hapjen e instituteve në fushën e teknologjisë dhe të programeve të inkubacionit dhe përshpejtimit, duke ofruar stimuj shtesë tatimorë, për të tërhequr investitorët dhe fondet në këto fusha, si dhe do të garantojmë viza qëndrimi afatgjata për të gjithë “nomadët” digjitalë”.
“Do të mbështesim kompanitë që do të financojnë në fushën e teknologjisë të lartë, duke bashkëfinancuar si shtet me ta dhe për trajnimet për përdorimin e teknologjive të reja nga të rinjtë tanë, me qëllim punësimin e tyre në këto kompani që do të investojnë në vendin tonë”, tha Meta.
Presidenti i PL premtoi ulje të kostos së energjisë me 20 % për karburantet, liberalizim dhe subvencionim për energjinë diellore për konsum familjar.
Gjithashtu, Meta shtoi se, mbledhja e rentës nga minierat do të përdoret për fondin e pagave dhe pensioneve.
“Do të mbështesim me 10,000 euro startup-et dhe ato për 5 vitet e para do të jenë të përjashtuara nga taksat”, tha Meta.
Ai u shpreh se, këto politikat do ta shndërrojnë Shqipërinë në një fuqi eksportuese, në një kohë rekord, duke bërë një përmbysje radikale të të gjithë strukturës ekonomike të vendit./ata