Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfundoi pastrimin e lumit Dunavec, në fshatin Ravonik, në Korçë, me një gjatësi prej 6 km dhe 55 mijë m³ aluvione.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se pastrimi i lumit përmirësoi kullimin në rreth 3260 hektarë tokë bujqësore, duke u krijuar lehtësi fermerëve për një prodhim cilësor.

Në fund të vitit 2023 përfunduan punimet në argjinaturën për mbrojtjen nga lumi Dunavec që parandalon problematikën e përmbytjeve të tokës bujqësore në këtë zonë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Bordeve të Ujitje Kullimit, në prag të stinës së dimrit do të ndërhyjë në një sërë veprash të infrastrukturës ujitëse dhe kulluese, apo në argjinaturat e lumenjve në disa zona të vendit, me qëllim rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e tyre, për t’i paraprirë parandalimit të përmbytjeve në tokat bujqësore nga reshjet e shiut./ata