Kryeministri Edi Rama theksoi sot se Shqipëria nuk ka asnjë “plan B”, veç anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë përurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, Rama u ndal edhe te hapja e negociatave për grup-kapitullin e parë të Acquis, të cilën e cilësoi si “pjesën më të vështirë të procesit për t’u bërë anëtare e BE-së”.

“Është një tjetër shenjë shumë e fortë për mua që tashmë yjet e Shqipërisë janë në vijë të drejtë dhe që rruga drejt anëtarësimit është bërë tanimë e pandalshme. Nga përvoja ime, Europa dhe BE shoqërohen shumë me dhimbje, të bërtitura, por nuk ka vend më të mirë”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi po ashtu se pak ditë më parë në Luksemburg u pyet nga një gazetar nëse Shqipëria kishte një plan B, në rast se Europa dhe BE do të ktheheshin te mënyra e vjetër.

“Por a mund të ketë një plan B ndaj BE-së? Nuk e besoj, sepse të kesh një plan B kundrejt BE-së do të thotë të kesh një plan B kundër lirisë individuale, do të thotë të kesh një plan B kundrejt sundimit të ligjit, kundrejt demokracisë funksionale. Nëse je gati ta negociosh këtë gjë, atëherë mund të kesh një plan B, C, apo D”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo ‘abc’ që e bën BE-në projektin më të pabesueshëm që mendjet politike kanë imagjinuar e kanë guxuar ndonjëherë, është e panegociueshme”.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër, asnjë vend tjetër ku mund të jeni të sigurt për veten, familjen, fëmijët. Ku ata do të kenë këto 3 gjëra thelbësore: Lirinë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale”, tha Rama.

Rama theksoi se “ndonjëherë demokracia ngjan sikur nuk funksionon mirë, por për hir të kësaj të shkosh kundër BE-së, duke parafytyruar e parashikuar një të ardhme të nesërme jashtë BE-së është thjesht pa kuptim”.

“Çdo gjë që ju zemëron apo ju bën të pavendosur apo zhgënjyer në raport me BE-në duhet të shërbejë jo për të luftuar apo për t’iu bashkuar betejave kundër BE-së, por të shërbejë për të luftuar mbrapsht për të pasur një BE më të mirë”, iu drejtua Rama studentëve të Kolegjit të Europës në Tiranë./ata