Mijëra materiale që i përkasin Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura do të jenë pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit. Puna tashmë ka nisur dhe pritet të përfundojë deri në 1 janar 2025. Ministri i Mbrojtjes z.Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit Qendror të Shtetit z.Ardit Bido vizituan mjediset e Arkivit të FA, ku u njohën nga afër me proceset e punës dhe sfidat e transformimit digjital të Arkivit Qendror të FA.

Fondet e Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura tregojnë më së miri se si përpjekja për të krijuar, forcuar dhe mirëmbajtur Forcat e Armatosura ka qenë një sfidë që ka shoqëruar të gjitha fazat e shtetndërtimin tonë. Ky Arkiv është pasuruar ndër dekada nga disa fonde të rëndësishme dhe vijon e pasurohet dita-ditës.

Integrimi i Arkivit Qendror të FA në Arkivin Qendror Shtetëror është një mundësi e mirë për të përmirësuar aksesueshmërinë, digjitalizimin dhe hapjen edhe më të gjerë për studiuesit dhe ekspertët e çështjeve të sigurisë.

Ndërkohë vijon puna për perpunimin e disa kilometrave linearë materiale arkivore, ende të patrajtuara nga fondet ekzistuese. Qeveria shqiptare do të financojë ndërtimin e një godine të dedikuar për këtë pasuri të çmuar kombëtare, pranë kompleksit arkivor, me kushte bashkëkohore për 100 vitet e ardhëshme./ata