Zhvlerësimi i monedhës europiane gjatë këtij viti në raport me lekun në tregun e brendshëm valutor, ka bërë që individët të preferojnë më tepër monedhën vendase kur bëhet fjalë për marrjen e një kredie. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fenomeni i vërejtur gjatë vitit 2023, ai i zhvendosjes së kredive nga euro në lekë duket se është pakësuar ndjeshëm.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti totali i kredisë të marrë nga individët në lekë është rritur në 72.4%, nga 70% që ishte në vitin 2023, ndërsa kredia në valutë të huaj është ulur në 27.6%, nga 30% që ishte gjatë vitit të kaluar.

Në terma më afatgjatë, që prej fillimit të zbatimit të masave makroprudenciale në vitin 2018, për kreditimin e individëve në monedhën që kanë të ardhurat, pesha e kredisë për individët në lekë ndaj totalit është rritur me rreth 8 pikë përqindje.

Ndërkohë, portofoli i kredisë për individë ka shfaqur një përmirësim të qëndrueshëm të normave të rritjes. Ky përmirësim ka reflektuar si kërkesën e lartë për financim nga individët, ashtu edhe kushtet financiare përgjithësisht lehtësuese të ofruara nga vetë bankat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, një ecuri të ngjashme ka pasur kjo kredi edhe në vendet e rajonit. Financimi i bankave për individët ka vijuar me ritme të larta, ku rritja mesatare vjetore prej 14.7% në gjashtëmujorin e parë ishte rreth 1.7 pikë përqindje më shumë se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.

Kjo rritje është mbështetur gjerësisht nga financimi në lekë i individëve. Rritja vjetore e këtij portofoli me rreth 22%, kompensoi edhe tkurrjen që shfaqi kreditimi në valutë me rreth 1%. Ruajtja e kushteve lehtësuese financiare në lekë dhe më të favorshme se sa atë në euro së bashku me vijimin e tendencës mbiçmuese të lekut ndaj euros duket se kanë mbështetur më tej zhvendosjen e kredisë së individëve drejt monedhës vendase./Scan