Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është e papranueshme të anashkalohet Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga zgjedhja e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët.
“Është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të anashkalohet BSPK-ja dhe të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional që menaxhon kursimet pensionale të punëtorëve”, shkroi ai në Facebook.
Hoti i ka ftuar të gjitha sindikatat të bëhen bashkë për të parandaluar siç ka thënë ai “këtë shkelje”, derisa ka shtuar se kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë.
“Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar”, potencoi Hoti.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar.
“Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse. Këta mashtrues që bëjnë thirrje për fuqizim të sindikatave në sektorin privat po e pengojnë me çdo formë organizimin sindikal në sektorin publik”./Albanianpost