Në Novosejë, të Kukësit, në zemër të natyrës dhe freskisë së pyjeve, Gëzim prej 8 vitesh ka ngritur agroturizmin “Stani i Hoxhës”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale rastin e Gëzimit, si një ndër shembujt që është kthyer në trend tashmë nga shumë fermerë dhe banorë të zonave rurale, që investimet në prodhime tipike të zonës, po iu shërbejnë për t’i kthyer fermat apo shtëpitë e tyre, në oaze të mikpritjes turistike.

“Ky oaz i qetesisë dhe shijes së mirë mirëpret turistë vendas e të huaj për të shijuar kulinarinë tradicionale dhe natyrën e mrekullueshme të vendit tonë”, u shpreh Denaj.

Ministrja tha se falë natyrës favorizuese dhe klimës së begatë, Gëzimi mbarështon bletë dhe prodhon mjaltë për nevojat e agroturizmit.

Ai kultivon 120 pemë dardhe dhe 3 dynymë patate, duke u siguruar që vizitorët të ndjejnë shijen e vërtetë të prodhimeve autoktone./ata